Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e Festës së Pavarësisë si dhe ka përcuar mesazhe për t’i dhënë fund politikës së vjetër dhe politikës së dasisë në lidhje me fesimin e 28-29 nëntorit nga politika.
Në një prononcim për median nga Shkodra, kryetari i Kuvendit, Meta, pohoi se 28 nëntori është një datë e rëndësishme në historinë tonë, por dhe kuptimplotë për të ardhmen evropiane.
Më tej Meta u shpreh se “Për mua është një kënaqësi për t’ju uruar të gjithëve ju, gëzuar Festën e 28 Nëntorit! Festë mjaft e rëndësishme në historinë e vendit tonë, por edhe mjaft kuptimplotë për të ardhmen evropiane të vendit tonë, e cila mendoj se është edhe më e sigurt në këtë festë dhe shpresojmë që të ecim në këtë rrugë”.
Interesit të gazetarëve se deri kur klasa politike shqiptare do të vazhdojë të festojë e ndarë 28 dhe 29 nëntorin, Meta bëri apel që kjo kulturë e vjetër e ndarjeve duhet t’i i takojë të kaluarës.
“Mendoj se kultura e vjetër e ndarjeve dhe përjashtimeve duhet t’i takojë të kaluarës dhe 29 Nëntorin nuk e keni vendosur ne. Atë e kanë vendosur ata që çliruan Shqipërinë. Kështu që kjo është një ditë që i fton të gjithë për të nderuar ata që sakrifikuan për çlirimin e vendit”, theksoi Meta.



