
Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Sigurisë të thirrur nga deputetët e opozitës për problematikën e krijuar nga zjarret në ishullin e Sazanit, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi pranoi problemet me kontratat e mirëmbajtjes së helikopterëve.
Peleshi i përshkroi si “dhimbje koke” kontratat e mirëmbajtjes së helikopterëve të forcës ajrore dhe tha se ishte marrë vendim për të kërkuar ndihmën e një agjencie të NATO-s për këtë.
Ne e mirëmbajmë flotën ajrore jashtë vendit dhe kostot janë të mëdha, vështirësitë e mirëmbajtjes janë të mëdha.
Ministri i Mbrojtjes shtoi se nga katër helikopterë, tre prej tyre ndodheshin aktualisht për mirëmbajtje jashtë vendit. Njëri prej tyre gjendet i parkuar në Itali, në një situatë të komplikuar me kompaninë e kontraktuar për mirëmbajtjen e tij.
“Është e vërtetë, ka një problematikë me 1 helikopter Cougar që ka bërë një ulje të detyruar në Itali,” tha ai, duke sqaruar se po pritet akti i ekspertimit për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes qeverisë dhe kompanisë së mirëmbajtjes.
“Me shumë gjasa do t’a ndajë një proces gjyqësor,” njoftoi Peleshi, duke pranuar se po shkohej drejt prishjes së kontratës me kompaninë franceze.
Peleshi njoftoi komisionin se ishte marrë një vendim që mirëmbajtja e helikopterëve të prokurohej nëpërmjet SPA, agjencisë së prokurimit të NATO-s, duke pranuar mungesën e kapaciteteve të shtetit shqiptar në lidhjen dhe menaxhimin e këtyre kontratave.
Nuk duam të bëjmë më procedura prokurimi për mirëmbajtjen, sepse forca jonë e negocimit, hartimit dhe monitorimit të menaxhimit të kontratave të komplikuara nuk është aq sa e një agjencie të specializuar.



