
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi komenton situatën politike në vend, pas zhvillimeve të ditëve të fundit, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lëshuar urdhër-arreste për disa ish-zyrtarë të lartë të policisë. Në emisionin “Studio e Hapur” me Eni Vasilin në “News24”, Kryemadhi ka folur për dekonspirimin e urdhrave të policisë ndaj ish-zyrtarëve, të cilët dyshohet se janë të implikuar në trafikun e drogës së bandës së Habilajve.
“Mendoj se që në momentin që filloi të diskutohej çështja “Tahiri” në parlament, janë larguar të gjithë. Tashmë shtrohet pyetja sa ka qenë e implikuar policia, që i ka lejuar këta ish-zyrtarë të largohen nga vendi. Varet tani si do jetë bashkëpunimi i policisë me Prokurorinë. Nëse do lëshohen urdhër-arreste ndërkombëtare, do të arrestohen në vendet ku kanë shkuar. Se këta e dinë ku kanë shkuar, ku janë. Se besoj se këtu rrotull janë, te këto vendet afër nesh”, u shpreh Kryemadhi.
Kryetarja e LSI do të komentojë edhe dosjen “Tahiri”, si dhe raportet me kryeministrin Rama dhe kryedemokratin Basha. Kryemadhi tha se zhvillimet e ditëve të fundit në vend, krijojnë një situatë të vështirë për qytetarët shqiptarë. Ajo tha se vendi ka nevojë për një opozitë të fortë.
“Për shqiptarët kjo është një situatë e vështirë, do të thoja një fatkeqësi e madhe. Qytetarët dua bukë, shkolla, siguri, të ardhura, dhe nuk i intereson kjo situata politike. Roli i opozitës është i rëndësishëm në këtë fazë. Sa më e fortë të jetë opozita, aq më i vështirë është që krimi i organizuar të kapë institucionet e shtetit. Besoj se tashmë kemi filluar të rakordohemi. Kjo e vështirë, pasi edhe vetë situata që ka jeta politike shqiptare, përmban shumë faktorë”, u shpreh Kryemadhi.



