
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë në ditën e dytë e Forumit të Biznesit Maltë-Shqipëri. Presidenti Meta prezantoi shkurtimisht zhvillimet ekonomike, potencialin e bashkëpunimit të biznesit dhe oportunitetet e investimeve për biznesin maltez në Shqipëri.
Presidenti i Republikës theksoi se nga historia e suksesit e “modelit ekonomik” të Maltës, Shqipëria mund të nxjerrë leksionet e duhura për të fuqizuar sektorët më vitalë për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, siç janë turizmi, agro-industria, shërbimet financiare, ICT, etj.
Nga ana tjetër, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Gozos shfaqi interes të madh në shkëmbimin e eksperiencave me përfaqësuesit e komunitetit biznesit shqiptar dhe eksplorimin e projekteve të biznesit në tregun shqiptar dhe atë rajonal.
Forumin e Biznesit e përshëndetën dhe ministri maltez i Ekonomisë dhe Biznesit e Vogël, z.Cardona dhe Ministrja për Gozon, znj. Caruana, të cilët vlerësuan Forumin si platformën e duhur për tënjohur më mirë potencialettona ekonomike dhe për të krijuar sinergjinë e nevojshme mes biznesit maltez dhe atij shqiptar për investime te ndërsjellta.
Në përfundim të Forumit u nënshkrua një Marrëveshje Bashkëpunimi mes Presidentit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, z. Nikolin Jaka dhe Presidentit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Gozos, z. Joseph Grech.
Gjatë punimeve të Forumit, Presidenti Meta zhvilloi takime edhe me rektorin e Universitetit të Maltës, Prof. Alfred. J. Vella dhe me drejtuesit ekzekutivë të Air-Malta. Në takime u diskutua përbashkëpunimin ne fushën e arsimit me fokus kryesor programet e shkëmbimeve studentore në Maltë dhe Shqipëri si dhe mundësinë për dhënien e disa bursave në nivelin pasuniversitar për studentët shqiptarë në Universitetin e Maltës.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Air-Malta shprehën interes për të vlerësuar mundësinë e vendosjes së linjës direkte mes Maltës dhe Shqipërisë.



