Qeveria e Serbisë gjatë këtij viti, ka dhënë shtetësi për shtetas rusë në një numër katër herë më të madh se të gjithë shtetasit e tjerë të huaj së bashku.
Mes tyre ndodhen edhe persona të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina, sipas një analize të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, bazuar në vendimet e qeverisë serbe.
Autoritetet në Beograd i justifikojnë këto vendime me “interesa shtetërore”.
Një prej rasteve është Valerij Kazikajev, i cili mori shtetësinë serbe më 16 janar.
Ai ndodhet në listën e sanksioneve amerikane që nga prilli i vitit 2023, për shkak të lidhjeve të biznesit me oligarkun rus Alisher Usmanov.
Një tjetër rast është Sergej Kondratenko, i cili u pajis me shtetësi serbe më 13 nëntor 2025.
Ai është nën sanksione të Ukrainës për veprime që, sipas Kievit, cenojnë sigurinë kombëtare të vendit.
Shtetësinë serbe e ka marrë gjithashtu edhe Igor Koljushev, një inxhinier rus i ndërtimit të urave, i cili është gjithashtu nën sanksione ukrainase që nga viti 2022.
Sipas raportimit të REL, Serbia ka vijuar trendin e rritjes së dhënies së shtetësisë për shtetas rusë, pavarësisht paralajmërimeve nga Bashkimi Evropian se kjo praktikë mund t’u mundësojë hyrje pa viza në BE personave të sanksionuar dhe të ngrejë shqetësime sigurie.
Në një dokument të brendshëm të Komisionit Evropian, thuhet se përshpejtimi i marrjes së shtetësisë serbe nga shtetas rusë përbën një rrezik potencial për sigurinë e Bashkimit Evropian.
“Serbia jo vetëm që nuk po vendos sanksione ndaj Rusisë, por në mënyra të ndryshme po anashkalon politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, ka deklaruar për REL-in Bojana Sellakoviç nga organizata Konventa Kombëtare për BE-në.
Si vend kandidat për anëtarësim në BE, Serbia ka regjim pa viza me Bashkimin Evropian, por mbetet e detyruar të përafrojë politikën e saj të jashtme me atë të bllokut.
Megjithatë, ajo nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe vazhdon të mbajë regjim pa viza për shtetasit rusë.
Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës dhe vendosjes së sanksioneve ndërkombëtare, mijëra shtetas rusë kanë kaluar ose janë vendosur në Serbi.
Disa prej tyre janë larguar për shkak të mobilizimit ushtarak, ndërsa të tjerë kanë vijuar aktivitetin e tyre ekonomik me vendet perëndimore.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme serbe, në janar 2025, pak mbi 48 mijë shtetas rusë kishin qëndrim të përkohshëm në Serbi. Të dhëna më të fundit zyrtare nuk janë bërë publike.
Analistët paralajmërojnë se kjo politikë e Beogradit mund të rrezikojë procesin e integrimit evropian, ndërsa Serbia prej vitit 2021 nuk ka hapur kapituj të rinj negociues me BE-në, pjesërisht për shkak të mosharmonizimit me politikën e jashtme të Unionit.
Në samitet e fundit BE–Ballkani Perëndimor, zyrtarë evropianë kanë theksuar se Serbia duhet të përcaktojë qartë orientimin e saj strategjik mes Rusisë, Kinës dhe Bashkimit Evropian.
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se “balancimi mes Rusisë, Kinës dhe Evropës është i papranueshëm”, duke i bërë thirrje Beogradit të qartësojë pozicionin e tij gjeopolitik.



