
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për rritjen e çmimit të karburanteve, duke u shprehur se qytetarët shqiptarë paguajnë më shtrenjtë se çdo vend i rajonit për çmimin e naftës.
Sipas tij, në vendin tonë shitet më shtrenjtë nafta sepse qeveria vjedh përmes taksave, ndërsa thekson se është e domosdoshme që të hiqet taksa e naftës, në mënyrë që të mbështeten qytetarët në këtë kohë krize.
Qytetarët shqiptarë paguajnë më shtrenjtë se kushdo tjetër në rajon për çmimin e naftës. Nafta në Shqipëri shitet më shtrenjtë, sepse Qeveria vjedh dhe grabit me taksat e larta, duke rënduar dhe varfëruar buxhetet familjare. Në vend që të lehtësonte barrën fiskale, ashtu siç bënë vendet e rajonit dhe të Europës, Qeveria krijoi Bordin, vendimet e të cilit nuk bëjnë gjë tjetër veçse e klasifikojnë Shqipërinë ndër vendet e para në botë për çmimin më të shtrenjtë të naftës. Heqja e taksave në çmimin e naftës në këtë situatë krize globale është një shqetësim real i qytetarëve, për të cilin Partia e Lirisë ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për heqjen e taksës së karbonit dhe qarkullimit që do të lehtësonte ndjeshëm çmimin e naftës.



