Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia, në një intervistë për gazetën italiane “Corriera della Sera” ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, në lidhje me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës.
Ristucia ka akuzuar Kurtin për veprime të njëanshme dhe se ka marrë vendime pa i marrë parasysh këshillat e faktorit ndërkombëtar.
Para së gjithash, vendimi i kryeministrit kosovar, Albin Kurti, për të vendosur kryetarë komunash me përkatësi etnike shqiptare të panjohur nga shumica serbe, pa marrë parasysh këshillat e të gjithë bashkësisë ndërkombëtare.
Veprimi i dytë i njëanshëm i Qeverisë së Prishtinës ishte përdorimi i forcës pa u konsultuar me ne, duke e bërë kështu të nevojshme ndërhyrjen tonë për të shmangur një tragjedi.
Ai ka theksuar se janë marrë vendime pa koordinim paraprak me KFOR-in dhe, sipas tij, nuk është hera e parë që ndodh kështu.
Misioni i NATO-s nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet ombrella nën të cilën mund të strehohet pas veprimeve të njëanshme që prishin ekuilibrat shumë të pasigurt.
Këto janë vendime të marra pa koordinim paraprak me ne dhe me palët e përfshira. Nuk është hera e parë që ndodh. Kjo është një qasje që sigurisht nuk nxit besimin e ndërsjellë.
Ne gjithmonë duhet të vlerësojmë pasojat e dëmshme që kanë këto lloj veprimesh. Kur më fliste, kryeministri Kurti ishte gjithmonë dakord me këtë qasje.
Ndërkaq, i pyetur se a janë përgjegjës vetëm në njërën anë, ai e ka mohuar duke thënë se edhe pala kosovare dhe ajo serbe nuk janë në gjendet të përfitojnë nga ato çka kanë arritur ndërvite.
Absolutisht jo. Të dyja palët nuk janë në gjendje të përfitojnë nga objektivat e arritura ndër vite, me përpjekje të mëdha nga diplomacia ndërkombëtare. Në momentin që ka një marrëveshje, ajo duhet të zbatohet. Por, pa asnjë dialog, mbetet një letër e vdekur. Në bazë të gjithçkaje ka vetëm mosbesim të ndërsjellë.
Ristuccia ka theksuar se veriu i Kosovës pa misionin e NATO-s, do të ishte “një tjetër vatër lufte”.
Situata me të cilën po përballemi është rezultat i një sërë krizash të grumbulluara me kalimin e kohës.
Le ta quajmë një destabilitet të kontrolluar, i cili megjithatë po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm në terren, për shkak të brishtësisë së marrëdhënieve mes dy grupeve etnike dhe kushdo që i përfaqëson ato.
Çdo balancë e arritur me përpjekje të mëdha, krizë pas krize, po bëhet gjithnjë e më e pasigurt.



