Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi të shtunën me 7 vota, projektvendimin për ndarjen e re të mandateve për çdo zonë zgjedhore, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare 2017. Më pas, vendimi i KQZ-se í përcillet për miratim Kuvendit të Shqipërisë.
Vendimi parashikon ndarjen e 140 mandateve parlamentare, për 12 zonat, sipas qarqeve:
1.Zona zgjedhore qarku Berat 7 mandate
2.Zona zgjedhore qarku Dibër 6 mandate
3.Zona zgjedhore qarku Durrës 14 mandate
4.Zona zgjedhore qarku Elbasan 14 mandate
5.Zona zgjedhore qarku Fier 16 mandate
6.Zona zgjedhore qarku Gjirokastër 5 mandate
7.Zona zgjedhore qarku Korçë 11 mandate
8.Zona zgjedhore qarku Kukës 3 mandate
9.Zona zgjedhore qarku Lezhë 7 mandate
10.Zona zgjedhore qarku Shkodër 11 mandate
11.Zona zgjedhore qarku Tiranë 34 mandate
12.Zona zgjedhore qarku Vlorë 12 mandate
Vendimmarrja e sotme e KQZ-së u shty pak ditë më parë, me kërkesë të përfaqësuesve të opozitës, të cilët kërkuan një informacion më të thelluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, lidhur me lëvizjet e shtetasve.
Ne mbledhjen e sotme, eksperti i PD-së në KQZ, Ivi Kaso, tha se ndarja e mandateve duhet të sigurojë një përfaqësim të barabartë dhe proporcional të shtetasve në zgjedhje. Verifikimi i shifrave të shtetasve kërkon një hetim të thelluar, tha ai, dhe pavarësisht vendimmarrjes së sotme të KQZ, kjo çështje nuk mund të ezaurohet vetëm me mbledhjen e sotme.
“Ne nuk paragjykojmë asnjë trevë apo qark, por një verifikim i thelluar i numrit të lindjeve dhe vdekjeve, duhet bërë para miratimit të listës përfundimtare të zgjedhësve”, tha eksperti Kaso.
Kryetari i KQZ-së, Denar Biba duke mbështetur në parim shqetësimin e tij, u shpreh se KQZ është një organ juridik, publik që nuk ka kompetenca për të bërë verifikime të kësaj natyre.
Sipas tij, meqë këtë moment parlamenti po punon për reformën zgjedhore duhet të na jepen tagrat përkatëse që të kemi mundësi të kryejmë hetime të tilla.
Ndërsa përfaqësuesi i PS-së në KQZ, eksperti Eridian Salianji, u shpreh për miratimin e vendimit për ndarjen e mandateve, pasi është kaluar afati që parashikon ligji. Materiali që PD i kërkoi Gjendjes Civile, tha ai, është i mjaftueshëm për të marrë një vendim. Është e qartë që ndarja e mandateve ndryshon për qarqet e Kukësit, Korçës dhe Beratit dhe tani u diskutua dhe Tirana, që ka një shtesë prej 22 mijë banorësh.
Por, theksoi Salianji, nuk është KQZ-ja institucioni që mund të bëjë censusin e popullsisë. Kodi zgjedhor nuk e thotë këtë në asnjë pikë. Ky është një proces jashtë kompetencave të këtij institucioni, verejti ai.
Vendimi i sotem i KQZ-se eshte hartuar mbi te dhenat e percjella nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile(DPGJC) per numrin e përgjithshëm të shtetasve shqiptare dhe atyre për çdo qark. Sipas informacionit, numri total i tyre rezulton të jetë 4.426.963. I pjestuar me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, përcaktohet se numri 31.621, është mesatarja e shtetasve që i takon çdo mandati. Bazuar mbi të caktohet dhe numri i mandateve për cdo zonë zgjedhore.



