
Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për mediat me homologun maqedonas Dimitar Kovaçevski, pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Shkup, paralajmëroi mbajtjen e një tjetër samiti për Ballkanin e Hapur në Shqipëri.
Ai e cilësoi si një nismë me vlerë, duke deklaruar se kanë nisur përgatitjet për samitin.
Jemi shumë të kënaqur që ka vende të tjera që duan të jenë pjesë e këtij procesi, pavarësisht se vendet tona mbeten motori i këtij projekti. Më vjen mirë që procesi i Berlinit ka rifilluar.
Në Berlin firmosëm ato që kishim firmosur në Ballkanin e Hapur. Ballkani i Hapur është jetësim i procesit të Berlinit. Marrëveshjet e Ballkanit janë përshpejtim i procesit të Berlinit.
Procesi i Berlinit, është një lokomotivë e cila ka tërhequr gjithë lidhjet e rajonit në një rrugëtim të caktuar, ku në një moment të caktuar lokomotiva u morr peng nga vagonët.
Në fund fare do mbetemi me Ballkanin e Hapur se procesi i Berlinit nuk do jetë i përjetshëm, ndërkohë që Ballkani do të jetë i përjetshëm.
Nuk besoj se në jetë të jetëve do të duhet të na marrin për dore të tjerët.



