
Seanca e planifikuar sot në Gjykatën Kushtetuese për ligjin e Akademisë së Shkencave (ASH) nuk është zhvilluar.
Pavarësisht se përfaqësuesit e PD ishin të pranishëm, administrata e Gjykatës Kushtetuese njoftoi se, për shkak të mungesës së një gjyqtari, kjo seancë do të shtyhej. Lajmin e bëri të ditur deputetja Ina Zhupa për mediat.
Zhupa e vlerësoi ligjin si antikushtetues, duke theksuar se ai favorizon politikat e caktuara.
Ligjvënësja demokrate, e cila është iniciuesja kryesore e padisë në Kushtetuese, shprehu shqetësimin se ligji është miratuar në shkelje të plotë të procedurave parlamentare, duke anashkaluar pushtetin legjislativ dhe duke e shkelur Kushtetutën.
Ajo që na u la, seanca e radhës më 28 janar në orën 10 në Gjykatën Kushtetuese. Uroj që të jetë kuorumi me të 8 anëtarët. Sot ishim përgatitur për të bërë parashtrimet tona.
Kishim të gjitha provat shkresore, e-mail që janë shkëmbyer gjatë proceduarve në Kuvend. Ligji është anti kushtetues. Në substancë. Shkel themelin e kushtetutës. Gjithë akademikët janë të barabartë para ligjit. Risia që krijonte ky ligj, të gjithë 75-vjeçarët ktheheshin në akademikë emeritus që nuk drejtojnë dot, nuk mbikëqyrin dot. Por vetëm njëri prej tyre mund të jetë kryetar dhe ky është Gjinushi, që drejton, firmos, mbikëqyr.
Të gjitha kafshët janë të barabartë por disa janë më të barabarta se të tjerët.
Kjo figurë dihet për njohjet e veta politike. Çdo mbledhje e komisioneve e seancës plenare apo çdo procedurë jo sipas rregullores është nul.
Zhupa e akuzoi kryeministrin Rama se po kërkon të "kapë" çdo institucion të rëndësishëm.
Procedurat për këtë ligji janë në shkelje. Relacioni në presidencë ka qenë pa firmat e relatorëve, jo sipas rregullores. Do e vazhdojmë betejën. Nuk lidhet me emrin e një personi. E keni parë si Rama kërkon të kapi çdo institucion, nuk do rotacion në asnjë institucion. Duan të kapin dhe Akademinë e Shkencave me njerëz politikë. Është në interesin e publikut qe ASH të jetë e pavarur, çdo akademikë të jetë i barabartë para ligjit.



