
Drejtuesi politik i qarkut Durrës, Edi Paloka dhe dy kandidatët për deputetë të PD, Andia Ulliri dhe Aulon Kalaja, zhvilluan sot një takim me qytetarët në hapjen e fushatës në Fushë-Krujë.
Gjatë takimit Paloka theksoi pakënaqësinë që ka krijuar tashmë, sipas tij, Rama si kryeministër. “Askush nuk do t’i ndalte as socialistët nëse do e shihnin me shpresë Edi Ramën, por qytetarët kalonin dhe e shihnin me indiferencë, ishin aq pak se i kanë braktisur dhe vetë socialistët. Socialistët e dinë tashmë që me Ramën jo mandat të tretë, por edhe tre orë më shumë janë fatkeqësi për shqiptarët”, tha Paloka.
Gjithashtu Paloka e cilësoi betejën në këto zgjedhje, si një betejë përballë një qeverie, e cila nuk u zgjidhi problemet qytetarëve, por u bë problem për ta.
“Beteja jonë është me një qeveri që për 8 vite nuk bëri asnjë gjë për shqiptarët, por përkundrazi, u kthye në problemin më të madh të qytetarëve. Ikën të gjithë peshkarexhat nga porti në shenjë proteste dhe e lanë Ramën si peshku pa ujë, u detyrua t’i thotë Gjergj Lucës më sill peshkarexhat nga Shëngjini, që të bënte takimin”, tha Paloka.
Në fund të takimit Paloka u premtoi banorëve të Fushë-Krujës se Partia Demokratike do të punojë që t’u kthejë normalitetin, qetësinë dhe integrimin e Shqipërisë.



