Kryetari i GP të PD-së, Alfred Rushaj duke folur sot lidhur me amendamentin e PD-së që u propozua në Kuvend për vetingun e politikanëve, theksoi se ai do të veprohet njësoj si me prokurorët dhe gjyqtarët.
Rushaj theksoi se ndonëse PD ka rezerva për punën e SPAK, ky proces do të jetë i hapur dhe publik, përfshi edhe vendimmarrjet.
“Në propozimin tonë ne kemi përfshirë standardin i cili është diskutuar, miratuar dhe aplikuar dhe gjetur në përputhje me procedurat për rastin e magjistratëve. Nuk është e arsyeshme që magjistratët t’i gjykohet integriteti i tyre mbi bazën e standardeve, ndërsa me politikanët përdorim standard tjetër. Ajo që keni lexuar në draft, ka kaluar në të gjitha filtrat e gjyqësorit, përfshirë dhe në raportin e Venecias. Çdo fjalë është përfshirë në draftin tonë, është fjalë e marrë nga standardi që është vendosur te magjistratët, nesër do të kishit shqetësim këtë duhet ta kishit bërë me magjistratët. Është dakorduar dhe kaluar në filtrat e ligjshmërisë përfshi Gjykatës Kushtetuese dhe Venecias.”, tha Rushaj.
Po ashtu Rushaj pohoi që të realizohet nga SPAK vetingu i politikanëve do të kërkohen burime njerëzore shtesë por dhe financiare.



