
Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Braimllari, hedh akuza të pas arrestimit të deputetit të dorëhequr Alqi Bllako, si të përfshirë në aferën e inceneratorëve.
Ai thotë se rasti “Bllako”, është përpjekja më e fundit për të shpërqendruar vëmendjen është një përpjekje e dështuar.
Asnjë shqiptar nuk habitet më, që Policia e Shtetit arreston në mes të natës në banesë qytetarët e thjeshtë se protestojnë por ndërkohë i duhen orë të tëra që të negociojë mbylljen e pazarit të dorëzimit të një deputeti të korruptuar dhe jo kryerjen e menjëhershme të arrestimit të tij. Asnjë tentativë e tillë nuk mundet të tërheqë vëmendjen nga përgjegjësit e vërtetë të kësaj mega vjedhjeje. Edi Rama, Erion Veliaj, Ëngjëll Agaçi, Damianin Gjiknuri, Arben Ahmetaj, Armando Subashi. Çdo vonesë nga ana e SPAK për vënien para përgjegjësisë penale të autorëve dhe ideatorëve të kësaj skeme vetëm sa e rëndojnë pozitën e SPAK dhe nuk zbardh të vërtetën para qytetarëve. Faktet tashmë janë të njohura për të gjithë shqiptarët dhe fakte të tjera kanë dalë dhe do vijojnë të dalin.
Sipas tij, drejtësia me regji, e cila ka prej më shumë se një viti që qëllimisht zvarrit dhe nuk vepron ka bërë që inceneratori i Tiranës të vazhdojë të paguhet me pagesa shumë milionëshe në llogari të pronarëve mafiozë në arrati dhe SPAK, me mosveprim në vend që të zbardhë e thellon skandalin.
Braimllari deklaron se përgjegjësit shtetëror dhe kompanitë e pastrimit të parave janë të gjithë të lirë gjithashtu dhe pronarët e inceneratorëve në arrati vazhdojnë të paguhen me miliona nga qeveria e rilindjes ndërkohë që për shqiptarët nuk ka para për t’i kompensuar për çmimet e ushqimeve dhe karburantit.
Në mbyllje të fjalës së tij, ai i kërkon SPAK-ut të lërë mënjanë drejtësinë me regji dhe të veprojë në mënyrë të menjëhershme mbi Edi Ramën dhe Erion Veliaj “për të zbardhur deri në fund këtë aferë”.



