
Në një takim me punonjës të Policisë së Shtetit, kreu i qeverisë Edi Rama deklaroi se 2018-ta do të jetë viti më i zi për krimin e organizuar. Kryeministri Rama theksoi se operacioni ‘Forca e Ligjit’ po jep rezultate shumë të mira, duke u ndalur edhe tek abuzimet me pronat në bregdet, si në rastin e Kavajës por edhe atë të Lezhës, ku u arrestuan disa zyrtarë, mes tyre edhe kryebashkiaku Frran Frrokaj.
"Nuk ka diskutim që ky vit do të shënojë një marrëdhënie të re në përballjen e policisë me krimin e organizuar, pasi do të jetë viti më i zi për krimin e organizuar. Pas Kavajës Policia e Shtetit në bashkëpunim me Krimet e Rënda, organizoi një operacion të rëndësishëm në Lezhë. Ka një qasje për ta shtrirë veprimtarinë e Policisë atje ku duket se zona është e lirë, për t’i dhënë përgjigje atyre zyrtarëve që abuzojnë. Ne kemi marrë vendimin për të bllokuar vijën bregdetare, për t’ju dhënë përgjigj zyrtarëve të lartë, të mesëm, dhe bandave me kostume apo dhe pantallona të shkurta që kanë abuzuar me pronë, duke bërë regjistrime në rërë, në zonat e gjelbëruara pranë bregut. Prona që janë krime. Një nga elementet më të përhapur është trajtimi i këtyre toka si bujqësore. Ata kthehen në pronarë të detit, të rërës, apo dhe pishave. Jam i bindur se operacioni Forca e Ligjit edhe me rritjen e kapaciteteve brenda dhe jashtë, do të japë një përgjigje të merituar edhe në këtë drejtim", tha Rama.
Gjithashtu Rama bëri një falenderim për patrullën që u përball me 4 grabitësit e armatosur pak ditë më parë në Fier, ku tha se 5 efektivët ishin shpresa e fundit e çifti të moshuar.
“Sot shpreh jo vetëm në emër të qeverisë, por edhe të shumë njerëzve të zakonshëm, admirimin dhe mirënjohjen për 5 prej jush që e përmbushën detyrën me nder edhe pse grabitësit lëshuan mbi ta plumba. Ju ishit shpresa e fundit dhe mbrojtja e një çifti të moshuar bashkëshortësh”, tha Rama.
Por kreu i qeverisë zbuloi një detaj interesant kur tha, se kjo ishte e njëjta patrullë që u përball me një grabitës që i mori jetën një qytetari.
"Kjo patrullë rreth një muaj ndoqi me shpejtësi të lartë dhe arrestoi grabitësin e armatosur që i mori jetën një qytetari. Çdo ditë dhe çdo natë policët zhvillojnë një betejë të pabarabartë me kriminelët, pasi janë ata që vendosin vendin dhe kohën e përballjes”, tha Rama.



