
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Taulant Balla, i cili shoqërohej nga disa deputetë dhe ambasadori Qemal Minxhozi.
“Në takimin e ngrohtë dhe tejet vëllazëror, diskutimi u përqendrua në konkretizimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, ekonomik, kulturor, arsimor, si dhe domosdonë e thellimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat e interesit të përbashkët. Kryetari Glauk Konjufca vuri në pah kontributin e madh të Shqipërisë për Kosovën dhe, pasi shprehu mirënjohje të lartë, theksoi se do të punojmë në intensifikimin e raporteve mes parlamenteve tona, si dhe kërkoi një strategji të përbashkët kundër përpjekjeve të Serbisë për ta sfiduar Kosovën në mekanizmat parlamentarë evropianë. Meqë jemi një komb, kemi nevojë të jemi shumë më afër njëri-tjetrit për t`i përballuar sfidat që kemi përpara në raport me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe integrimet evropiane, tha kreu i Kuvendit”, thuhet në komunikatë.
Kryetari Konjufca ka falënderuar Shqipërinë për kontributin e madh për Kosovën duke theksuar se do të punojnë të dy vendet në intensifikimin e raporteve ndërparlamentare.
Nga ana e tij kryetari i GP të PS-së, Taulant Balla, premtoi bashkëpunim konkret në të gjitha nivelet, duke u shprehur se Shqipëria do të pozicionohet gjithherë në interes të faktorit shqiptar.
Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë duhet t’i shërbejnë heqjes së të gjitha barrierave eventuale burokratike, unifikimit të qëndrimeve karshi nismave rajonale dhe bashkërendimit të hapave në rrugëtimet integruese u tha nga bashkëbiseduesit, ku ranë dakord që të zhvillojnë takime më të shpeshta në mënyrë që t`i shërbejë forcimit të mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.



