Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se PD ka programin për t’u dhënë përgjigje sfidave që e presin Shqipërinë.
Berisha deklaroi se një erë ndryshimi po fryn në Evropë, ku po triumfojnë partitë e djathta, pasi njerëzit janë ngopur me demagogjinë dhe hipokrizinë e qeverive të majta.
Deklaratat e Berishës u bënë nga konferenca e mbajtur sot në kuadër të zgjedhjeve vendore e cila mbështetet nga Fondacioni "Hjarl Hjalmarson" i partisë simotër suedeze "Moderaterna".
Ne kemi një udhë jo të lehtë drejt fitores, por ne fitoren e kemi në dorë vet, në rast se vazhdojmë serinë e ndryshimeve pozitive që pret shoqëria shqiptare nga ne. Ne kemi të gjithë trashëgiminë, kemi të gjithë programin për të ardhmen, për t’u dhënë përgjigjen më të shkëlqyer sfidave që na presin. Kemi miqtë tanë që fatmirësisht po kthehen në pushtet në të gjitha anët e Evropës, në Suedi, Itali, në Bullgari. E pamohueshme se shoqëritë janë ngopur dhe mërzitur me qeveritë e majta, të cilat kanë hipokrizinë dhe demagogjinë si armë të tyre kryesore, përkundrejt nesh që kemi vlera dhe qytetarin të parin. Të frymëzuar nga kjo valë ndryshimi, nga kjo erë ndryshimi që fryn në Evropë, le të vazhdojmë ne këtë betejë. Ju siguroj që me çdo ndryshim afrohemi më shumë drejt fitores”.
Kryedemokrati tha se PD është në mandatin e tretë në opozitë, jo për meritë të qeverisë, por si pasojë e dobësive që ka shfaqur si parti.
Jemi në mandatin e tretë në opozitë dhe jo për meritë të qeverisë por për dobësinë e opozitës. Kemi pasur një qeveri të bazuar në skandale. Ky udhëtim i opozitës në këto vite ka qenë udhëtim topitës. Në një mënyrë apo një tjetër për fatin më të keq si asnjëherë në këto 30 vite”.



