
Një ditë pas forumit të Alpbach-ut, komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn, lë sërish të hapur mundësinë e pranimit nga BE të korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi. I pyetur nga gazetarët pas samitit informal në Durrës, Hahn e vuri sërish theksin te stabiliteti i rajonit, i cili sipas tij duhet të qëndrojë në themel të çdo marrëveshjeje që mund të arrihet.
“Do të jetë një tjetër takim në vijim dhe sigurisht do të kërkojë kohë që të gjendet një marrëveshje për rrjedhojë ju lutem kuptoni se nuk jam i gatshëm të bëj asnjë koment, veç atij që sigurisht siç është parashtruar në strategjinë e Ballkanit Perëndimor ne nuk do të pranojmë asnjë anëtar të ri nëse nuk janë të zgjidhura mosmarrëveshjet dypalëshe. Ajo çfarë ka vlerë për ne është stabiliteti në të gjithë rajonin. Duhet të mbajmë parasysh se çdo lloj marrëveshjeje dy palëshe nuk duhet të ndikojë stabilitetin e përgjithshëm të rajonit. Duhet të jetë e kundërta të kontribuojë për më shumë stabilitet në rajon. Cilido të jetë objektivi përfundimtar, ky duhet të jetë objektivi kyç. Sa më shumë stabilitet në të gjithë rajonin duke zgjidhur konfliktet dy palëshe”, tha Hahn.
Një ditë më parë, gjatë një takimi në kuadër të punimeve të forumit të Alpbachut në Austri, ku morën pjesë presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, Thaçi dhe Vuçiç, Hahn u shpreh se çfarëdo zgjidhjeje që të arrihet mes dy vendeve, Bashkimi Evropian nuk duhet të përjashtojë asgjë.



