
Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, pritet të mbërrijë në Kosovë pasditen e së hënës për t’u takuar me liderët institucionalë e për të vazhduar bisedimet për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe çështje të tjera në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.
Lajçaku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, si dhe me përfaqësuesit e opozitës në Kosovë.
Emisari i BE-së vjen në Prishtinë rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, ku Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u takuan ndaras me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, si dhe zyrtarë të tjerë të BE-së.
Para atyre takimeve, pesë emisarët perëndimorë në krye me Lajçakun vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor, ku ua prezantuan Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin, për të cilin thonë se është model modern evropian, por përmbajtja e të cilit nuk është bërë e ditur deri më sot.
Kryeministri Kurti është shprehur i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë draft-statutin për themelimin e Asociacionit, ndërsa presidenti serb Vuçiç ka qenë i vendosur në qëndrimin e tij për të mos pranuar asgjë që nënkupton njohjen de facto të Kosovës.
Ndryshe, të dyja palëve u është bërë e qartë se zbatimi i marrëveshjeve është rruga e vetme drejt integrimit në BE për të dyja vendet.



