
Presidenti Ilir Meta dhe Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi kanë uruar të gjithë djemtë dhe vajzat që shërbejnë në Forcat e Armatosura me rastin e 109 vjetorit të themelimit.
Meta i përcjell Forcave të Armatosura urimet më të përzemërta në Ditën e Themelimit, ndërsa i inkurajon për të vazhduar me përgjegjshmëri në drejtim të modernizimit, rritjes së aftësive trajnuese dhe kapaciteteve operacionale, për të qenë gjithmonë të gatshëm në përgjigje të misionit,
Me shprehjen e respektit më të lartë, falenderimit dhe mirënjohjes së thellë, për çdo burrë dhe grua në uniformë, që në këto 109 vite ka shërbyer me devotshmëri dhe sakrificë sublime në mbrojtje të Atdheut, Pavarësisë, Sovranitetit dhe Sigurisë Kombëtare, garantimit të lirisë, paqes e stabilitetit, në rajon dhe botë, nën Flamurin Kombëtar, u përcjell Forcave tona të Armatosura urimet më të përzemërta në Ditën e Themelimit.
I inkurajoj për të vazhduar me përgjegjshmëri në drejtim të modernizimit, rritjes së aftësive trajnuese dhe kapaciteteve operacionale, për të qenë gjithmonë të gatshëm në përgjigje të misionit, situatave dhe sfidave që parashtron koha, si dhe detyrave, që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe angazhimet në kuadër të NATO-s. Përshëndetje vëllazërore për familjet e ushtarakëve, burim i përhershëm frymëzimi dhe edukimi me ndjenjat më të larta patriotike!
Nga ana e tij Peleshi përmes një videoje që tregon historikun e Forcave të Armatosura që nga themelimi e deri më sot, si pjesë e Aleancës së NATO-s, ministri shpreh mirënjohjen për të gjithë ushtarakët që kanë kontribuuar.
Sot, 109 vjetori i Forcave të Armatosura, mirënjohje për të gjithë ushtarakët qe e krijuan dhe i dhanë jetë një force moderne. Sot përkrah NATO, aleancës më të madhe politike dhe ushtarake në botë.



