
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter, ka ripërsëritur kërkesën amerikane për shtyrjen e vendimit për çështjen e targave për të paktën 10 muaj, duke mos e mbështetur kështu alternativën e Qeverisë së Kosovës për shkallëzimin e vendimit për targa në tri javë qortim, dy muaj gjoba dhe më pas edhe dy muaj tabela provuese.
Ritheksimi i kërkesës amerikane për targat ka ardhur në momentin kur Policia e Kosovës ka njoftuar edhe për një dëmtim të një veture, pronari i së cilës me nacionalitet serb kishte vendosur të përmbahet vendimit të ekzekutivit për targat.
ShBA-të dënojnë djegien ose shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë t’i konvertojnë tabelat e tyre në RKS, këto janë vepra të frikacakëve dhe kriminelëve.
Ne ritheksojmë kërkesën tonë për një zgjatje të plotë të periudhës së zbatimit në mënyrë që tabelat RKS të mund të vendosen gjatë 12 muajve duke pohuar se Kosova ka të drejtë ta zbatoj këtë ndryshim.
Ndryshe, që nga 1 shtatori, në veri të vendit janë regjistruar katër raste të djegies së veturave apo pronës së qytetarëve, të cilët i kanë konvertuar targat e veturave nga ato ilegale që lëshohen nga Serbia, në legale të Republikës së Kosovës- RKS.
Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin në tri faza për riregjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në RKS. Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.



