
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati priti një grup të përfaqësuesve politikë të Luginës së Preshevës ku në qendër të diskutimit ishte situata e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në këtë zonë si dhe zhvillimet e tanishme në rajon.
Bushati dëgjoi mendimet dhe kërkesat e parashtruara nga përfaqësuesit e spektrit politik të Luginës, me fokus kryesor shqetësimin e tyre për ecurinë socio-ekonomike, kulturore e arsimore, si dhe mungesën e shërbimeve dhe të standardeve parësore, që po çojnë drejt humbjes së perspektivës për të rinjtë dhe largimin e tyre nga Lugina.
Ai ritheksoi angazhimin për mbështetje të pakushtëzuar në adresimin e kërkesave të tyre, çka është materializuar edhe në një sërë iniciativash e kontributesh për nxitjen e kapaciteteve zhvillimore nga ana e Qeverisë shqiptare dhe i siguroi bashkëbiseduesit se shteti shqiptar do të vijojë të kërkojë nga Serbia për shqiptarët e Luginës atë që atyre u takon, më shumë mirëqënie, më shumë respekt dhe më shumë përfshirje në proceset integruese të Serbisë.
Nga ana tjetër përfaqësuesit e Luginës parashtruan mendimet e tyre edhe mbi zhvillimet e tanishme në rajon, veçanërisht procesin e Dialogut Kosovë-Serbi.
Në këtë kontekst, shefi i diplomacisë shqiptare ndau me bashkëbiseduesit qasjen e Shqipërisë në raport me këto zhvillime, duke e vënë theksin tek rëndësia e vijimësisë së dialogut dhe orientimin e tij në mënyrë efektive, në terma të qartë, pa ekuivok dhe të balancuar për sa i përket zbatimit të plotë të marrëveshjeve dhe avancimin e proceseve integruese të Kosovës.



