
Sipas përcaktimeve të Statutit të PDSH, një anëtar mund të humbasë të qenurit anëtar në parti në disa rrethana të caktuara, kjo duke sjellë automatikisht edhe humbjen e të drejtave politike brenda kësaj force, përfshirë të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.
Referuar Nenit 23, anëtarësia në parti përfundon në rastet kur anëtari ndërron jetë, largohet me vullnetin e tij, përjashtohet nga strukturat drejtuese, ose nëse ai përfaqëson apo rreshtohet me subjekte të tjera politike në gara elektorale. Ky i fundit konsiderohet një shkelje e rëndë që sjell ndërprerjen e menjëhershme të lidhjes me partinë.
Po ashtu, çdo anëtar ka të drejtë të largohet vullnetarisht, por duhet të njoftojë strukturën përkatëse ku bën pjesë ose organin ku është i zgjedhur.
Ndërkohë, Neni 24 parashikon masat disiplinore që mund të çojnë deri në përjashtim nga partia. Shkelja e disiplinës së brendshme, veprimet që dëmtojnë interesat politike apo elektorale të PDSH, si dhe mosrespektimi i detyrimeve të anëtarësisë, sjellin sanksione që variojnë nga paralajmërimi dhe pezullimi, deri te përjashtimi përfundimtar.
Vendimet për masa disiplinore merren nga Kryesia e Degës ose Kryesia e Partisë dhe mund të apelohen pranë Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit. Në raste të veçanta, sidomos gjatë periudhave zgjedhore, masat mund të merren edhe më shpejt ndaj çdo anëtari që pengon zbatimin e vendimeve për kandidaturat.
Përjashtimi nga partia sjell automatikisht humbjen e çdo të drejte që lidhet me anëtarësinë, përfshirë pjesëmarrjen në vendimmarrje, si dhe të drejtën për të votuar apo për të kandiduar në strukturat e saj.
Statuti parashikon gjithashtu mundësinë e ripranimit, por kjo bëhet vetëm pas shqyrtimit nga organet përkatëse drejtuese dhe nuk është një e drejtë automatike.
Në këtë mënyrë, rregullat statutore synojnë të ruajnë disiplinën dhe kohezionin e brendshëm të partisë, duke vendosur kufij të qartë për sjelljen dhe angazhimin politik të çdo anëtari.



