
Deklaratën e ish liderit Sali Berisha për rikthim në krye të PD, ish-presidenti Bujar Nishani e interpretoi si mesazh me kontekst të gjerë. Siç u shpreh ai në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV Berisha ka dashur të konfirmojë faktin se PD sot është në pikë të hallit. Nishani tha se Berisha e ka pasur mesazhin e tij për anëtarësinë e kësaj partie.
“Mendoj se mesazhi i tij ka qenë me kontekst të gjerë se sa rikthim si kryetar partie. Me aq sa e njoh unë si bashkëpunëtor i hershëm, ai i ka kontekstet e plotë të adresimeve që bën. Ai më shumë ka dashur të konfirmojë faktin se PD sot është në pikë të hallit. Kurrë s’ka qenë PD tre mandate në opozitë. Berisha e ka pasur në kontekstin e anëtarësisë. Ai ka dashur të thotë: Thirrini mendjes o demokratë se kjo situatë nuk ka qenë më parë, apo të kthehem edhe unë”. Në raport me Bashën cilido që të vinte sot do të ishte më mirë. Nëse ai do ta kuptoj që e ka dëmtuar rëndë PD-në, kjo parti do ishte futur në rrjedhë tjetër”, tha Nishani.



