Situata e krijuar në veri të Kosovës po ndiqet me shqetësim edhe nga autoritetet në Shqipëri. Burime pranë Presidencës bënë të ditur se kreu i shtetit ka pasur komunikime të vazhdueshme me homologen Vjosa Osmani për t’u informuar mbi gjendjen në veri të Kosovës.
Një ditë më parë, në një deklaratë për mediat, Begaj dënoi dhunën ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR dhe bëri thirrje për maturi dhe bashkëpunim me ndërkombëtarët për autoritetet e Kosovës. Gjatë komunikimeve me Osmanin dhe liderë të tjerë politikë, Begaj ka theksuar se askush nuk mund të vërë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.
Një ditë më parë, KFOR ndërhyri ndaj protestuesve serbë në Zveçan, pasi ata nuk iu bindën thirrjeve që të shpërndaheshin. Protestuesit u përleshën me trupat e KFOR-it dhe përveç 30 ushtarëve të lënduar, është raportuar edhe për dhjetëra të lënduar nga ana e protestuesve.



