Qeveria e Turqisë ka përsëritur kërkesën për të mbyllur një numër shkollash jopublike, universitete, banka e fondacione të dyshuara si të financuara nga kleriku Fetullah Gylen, shkruan sot Koha Ditore.
Kësaj radhe kërkesa është bërë në adresë të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe mban firmën e ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar.
Kjo shkresë, ashtu si edhe ajo në adresë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, mësohet se është dorëzuar në muajin korrik të këtij viti, vetëm pak ditë pas puçit ushtarak në Turqi.
Në këtë shkresë, autoritetet turke kërkojnë që të verifikohet aktiviteti i këtyre institucioneve jopublike në Shqipëri, pasi dyshohet se janë ngritur nga kleriku Fetullah Gylen, i cili akuzohet si ideator i puçit ushtarak në Turqi.



