
Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, e ka cilësuar mashtrim publik vendimin e Lulzim Bashës për të përjashtuar 11 deputetë që i përkasin grupit të Berishës.
Ai tha se në momentin kur Basha pretendon se është marrë vendimi, në janar të vitit 2022, disa prej emrave nuk kanë qenë fare pjesë e Kuvendit, e një pjesë tjetë ka qenë prezent vetë në mbledhjen e kryesisë.
Besoj se Basha ka përjashtuar pak, duhet t’i përjashtonte të gjithë, sepse ai nuk ka nevojë për deputetë, ai ia del vetëm. Kjo është një situatë komike në fakt, vendimet e tij janë nul. Ai ka mbledhur rreth vetes disa dashamirës që çuditërisht i besojnë. Ne u munduam 10 vite ta bëjmë kryeministër, por ai mesa duket paska dashur me qenë një kloun, shërbyes i qeverisë. Kjo letër është një mashtrim, është grupi ai që përcakton çdo gjë. Ai thotë që ky vendim është marrë para një viti e gjysmë, por në atë kohë disa prej deputetëve nuk ishin fare pjesë. Këto janë të gjitha trillime, për t’ia faturuar Bardhit një vulë që ai s’e ka vënë kurrë për t’i përjashtuar këta njerëz. Është cirku i radhës, në pamundësi për të bërë opozitë. Kjo i shërben mediave dhe më së shumti qeverisë.
Gjekmarkaj thotë se grupi parlamentar ku ai bën pjesë është Partia Demokratike dhe çdo lëvizje ka një qëllim të vetëm: unifikimin e aksionit opozitar.
Unë jam tek PD e para dy viteve, te ajo që kanë votuar qytetarët me shpresën për ndryshim. Nuk jam në asnjë grup. Jam tek kjo parti të cilën ju fola, ndërsa kryetari është i qartë, është Gazmend Bardhi.



