
Debatit për detin mes Shqipërisë dhe Greqisë i është bashkuar edhe Artur Meçollari, i cili është pjesë e grupit të punës që po negocion çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve. Meçollari, i cili deri para pak javësh ka mbajtur postin e zëvendëskomandantit të Forcave Detare, me anë të një statusi në Facebook shprehet se ideja për zgjerimin e Greqisë me 12 milje është bazuar në nenin 15 të UNCLOS 1982.
Duke iu referuar këtij ligji, ai thekson se rasti i vetëm kur nuk zbatohet është për shkak të ndonjë titulli historik ose rrethanave të tjera të veçanta, është e nevojshme që delimitimi i detit territorial të dy shteteve të mos bëhet sipas mënyrave të mësipërme.
Meçollari sqaron se pas shfuqizimit në vitin 2008 të gjerësisë territoriale të detit dhe rikthimit të tij në vitin 2012, Shqipëria nuk mori asgjë nga hapësira detare e Greqisë, pasi zgjerimi i detit territorial bëhet brenda vijës delimituese në drejtim të detit ndërkombëtar.
Sipas tij, zgjerimi përtej vijë delimituese mund të bëhet vetëm nëse mes dy shteteve ka një marrëveshje që e përfshin një gjë të tillë. Mes dy vendeve nuk ka ende një marrëveshje për kufirin detar.
Postimi i Meçollarit
Një interpretim për zgjerimin e detit territorial të Greqisë dhe nenin 15 të UNCLOS 1982
Ne trembemi se me zgjerimin e detit territorial të Greqisë në 12 milje detare ujërat greke vijnë deri në Himarë.
PO GREKËT PSE NUK TREMBEN QË NE E KEMI DETIN TERRITORIAL 12 MILJE DETARE DHE NUK KEMI VAJTUR NË KORFUZ?
Cili është kuptimi i nenit 15.
1) zgjerimi i detit territorial nuk mund të shtrihet përtej vijës delimituese dhe jo nuk mund të zgjerohen nga shteti bregdetar nëse nuk ka një vijë delimituese. Shprehja "përveç rastit kur ka një marrëveshje midis tyre", ka kuptimin që deti territorial mund të shtrihet përtej vijës delimituese nëse shteti fqinjë ta lejon një gjë të tillë me marrëveshje. Pra të jep det territorial nga deti i tij me marrëveshje.
Le të marrim rastin konkret. Në vitin 2008, Shqipëria shfuqizoi gjerësinë e detit territorial 12 milje, e cila nënkupton ZERO, nëse nuk e ke të deklaruar. Në vitin 2012 rikthyem me ligj gjerësinë e detit territorial 12 milje detare, por nuk i morëm asgjë Greqisë, pasi zgjerimi i detit territorial bëhet brenda vijës delimituese në drejtim të detit ndërkombëtar. Mirë ne që shqetësohemi se Greqia do të na vijë në Himarë po e zgjeruan detin 12 milje detare, po grekët pse nuk shqetësohen se ne kemi shkuar në Korfuz pasi e kemi 12 milje detare?
UNCLOS 1982, Neni 15
Delimitimi i detit territorial ndërmjet shteteve me brigje përballë ose ngjitur. Kur brigjet e dy shteteve gjenden përballë ose ngjitur me njëri-tjetrin, asnjë nga dy shtetet nuk ka të drejtë, përveçse kur ka një marrëveshje ndërmjet tyre, për ta shtrirë detin territorial përtej vijës mediane çdo pikë e së cilës është e baraslarguar nga pikat më të afërta të vijave bazë nga të cilat matet gjerësia e detit territorial të secilit prej dy shteteve. Megjithatë, dispozita e mësipërme nuk zbatohet kur, për shkak të ndonjë titulli historik ose rrethanave të tjera të veçanta, është e nevojshme që delimitimi i detit territorial të dy shteteve të mos bëhet sipas mënyrave të mësipërme.



