Partitë politike po përgatiten për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Kosovë.
Kryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë Zllatan Ellek, ka thënë se pret që partia e tij të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Kosovë.
Në një deklaratë për radiotelevizionin publik të Serbisë, Ellek ka thënë se partia e tij pret që t’i fitojë të 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb.
Pritet që konfirmimi zyrtar për garim në zgjedhje të bëhet në dhjetor.
Kjo është hera e parë që kjo parti, më e madhja te komuniteti serb, të marrë pjesë në procese zgjedhore në Kosovë që prej nëntorit 2022, kur serbët u dorëhoqën nga institucionet e Kosovës. Lista Serbe s’mori pjesë në dy proceset zgjedhore të mbajtura në katër komunat veriore.
Ellek ka thënë po ashtu se s’ka pritje nga dialogu Kosovë-Serbi.
Ai ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se po “provokon” situatën në veri. Ka thënë se Perëndimi po rri i heshtur ndaj këtyre lëvizjeve.
Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, pretendon se po shtrin sovranitetin në pjesën veriore.
Përgjatë vitit, Qeveria ka marrë vendim për ndalim të përdorimit të valutës serbe, dinarit, për kryerje të pagesave me para të gatshme dhe ka mbyllur disa institucione paralele që funksionin sipas sistemit serb.



