
Dënoj me ashpërsi militarizimin e institucionit më të rëndësishëm të Republikës, Kuvendit të Shqipërisë.
Asgjësimi i të drejtave kushtetuese të opozitës është sulm ndaj pluralizmit politik dhe llogaridhënies para qytetarëve.
Një mesazh i tillë vjen nga kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, lidhur me përplasjen në Kryesinë e Kuvendit ku deputetët e opozitës nuk u lejuan që të futen brenda saj.
Meta thotë se partia që ai përfaqëson mbështet vendosmërisht qëndrimin e opozitës e në veçanti:
-Garantimin e ngritjes të komisioneve hetimore në Kuvend;
-Të drejtën e opozitës për të zgjedhur përfaqësuesit e saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore;
-Garantimin e shqyrtimit të të gjitha projektligjeve që opozita ka depozituar në Kuvend dhe që bllokohen prej vitesh.
Meta shton se deputetët e opozitës përfaqësojnë zërin e mbi 700 mijë qytetarëve të cilët kanë të drejtë të dëgjohen.
Kjo krizë e rëndë nuk zgjidhet me Gardën e Republikës por me respektimin e Kushtetutës dhe Rregullores të Kuvendit, si baza e funksionimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.



