Ka nisur takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak dhe emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Vizita e tyre, ka për qëllim gjetjen e një zgjidhje për situatën aktuale të krijuar në veri të Kosovës.
Mësohet se Kurti, i ka njoftuar Lajçak dhe Escobar, për vendimin e kryetarit të Zveçanit, Ilir Peci, për të emëruar nënkryetare të Komunës, Slagjana Pantoviçin.
Në pamjet e fillimit të takimit, të cilat i ka dërguar Kryeministria, Kurti dëgjohet tek u flet emisarëve për këtë vendim. Ai gjithashtu dëgjohet tek flet për marrëveshje për ulje të tensioneve në veri.
Emisarët ndërkombëtarë do të qëndrojnë në Kosovë edhe të martën ku pritet të takojnë edhe presidenten Vjosa Osmani.
Ata gjithashtu do të takojnë edhe liderët e partive opozitare. Ndërkohë që pas përfundimit të vizitës në Kosovë, ata do të shkojnë për vizitë edhe në Serbi.



