Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kërkuar që gjyqtarja Fatmira Hajdari të mos gjykojë çështjen e padisë së Kuvendit për privatizimin e CEZ, ku pala e akuzuar është ish-kryeministri Sali Berisha dhe djali i tij Shkëlzen Berisha.
Balla këtë kërkesë e ka bërë në emër të Kuvendit të Shqipërisë ndaj Gjykatës së Tiranës me arsyetimin se gjyqtarja Hajdari ka lidhje familjare me palën e akuzuar.
“Kuvendi me fletë-thirrjen e ardhur me datë 29.05.2020, njoftohet për shqyrtimin e ankimit në Gjykatën e Apelit Tiranë, në dhomë këshillimi në datë 03.06.2010, me trupë gjykuese të përbërë nga gjyqtarët Fatmira Hajdari dhe Alaudin Malaj.
Gjyqtarja Fatmira Hajdari, e cila është caktuar si anëtare e trupës gjyqësore që do të shqyrtojë ankimin e depozituar nga Kuvendi, ndodhet në kushtet e parashikuara nga neni 17 pika 1 shkronja “ë” të Kodit të Procedurës Penale, pasi ekzistojnë shkaqe të rëndësishme njëanshmërie. Gjyqtarja Fatmira Hajdari ka miqësi familjare me ish kryeministrin Sali Berisha dhe familjaret e tij, fakt ky i njohur botërisht", thuhet në kërkesën e Taulant Ballës.
Në kërkesën e tij, Balla sqaron më tej se ‘në momentin që kjo çështje përfshin si të implikuar edhe shtetasin Ndue Kalaj, si i dyshuar për ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë detyra publike, me lidhje me Sali dhe Shlëzen Berisha është njëanshmëri që çështja të gjykohet nga Fatmira Hajdari".
Hajdari është bashkëshortja e ish-deputetit të vrarë të Partisë Demokratike, Azem Hajdari.



