
Kryeministri Edi Rama ka përgënjeshtuar lajmin që qarkulloi sot në media, për një takim me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj në paraburgimin e Durrësit.
“Beteja ligjore e Erionit është beteja e tij dhe e avokatëve të tij, jo e imja dhe e Partisë Socialiste”, thotë Rama në një reagim në “X”, ku mohon takimin me kryebashkiakun.
Veliaj u transferua dje në mbrëmje nga blloku i sigurisë drejt paraburgimit të Durrësit, pasi GJKKO e la në masën e sigurisë "arrest me burg".
Kreu i qeverisë Rama ka qenë paraditen e sotme në Bashkinë Tiranë, ku ka takuar nënkryetarët e bashkisë.
Kujtojmë që kryebashkiaku i Tiranës u arrestua të hënën me vendim të Gjykatës së Posaçme për veprën penale të korrupsionit pasiv dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Kryeministri Rama ka deklaruar vazhdimisht se SPAK s’ka prova për Veliajn, dhe se ky i fundit është futur në qeli pa gjyq.



