
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u takua sot në Prishtinë me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, lidhur me diskutimet “për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike”.
Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka thënë se duan më shumë përparim në zbatimin e Marrëveshjes bazë, e cila tashmë ka bërë 1 vit që nga nënshkrimi.
Ai ka thënë se në takimin me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi kanë biseduar ndër të tjera edhe për rregulloren e BQK-së, e cila e bën euron valutë të vetme zyrtare në Kosovë.
Në një konferencë për media, Lajçaku ka deklaruar se është duke planifikuar që në ditët në vijim të mbajë takim mes kryenegociatorëve të dialogut.
Kemi diskutuar një listë të gjatë të çështjeve. Dhe më e rëndësishmja është zbatimi i Marrëveshjes bazike të arritur dhe kjo është në interes të të gjithëve që të kemi progres në zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Është marrëveshja më e mirë që kemi mundur të arrinim. Nëse do të kishte marrëveshje më të mirë, do ta kishim bërë prandaj është në interes të secilit që të zbatohet.
Sepse në këtë marrëveshje kemi të gjitha përgjigjet, çfarë të bëjmë dhe si t’i bëjmë. Pyetja e vetme është se kur do të ndodhë zbatimi i këtyre pikave. Kemi shpenzuar shumë kohë për të ndërmarrë hapa dhe ka frikë në të dyja palët se çfarë do të bëjë unë e çfarë pala tjetër.
Por besoj se këto çështje munden shumë thjesht të zgjidhen.
Në përfundim, Lajçak ka thënë se ka lënë hapësirë për të dyja palët për të prezantuar çështjet që duan të diskutojnë dhe se takimet e ardhshme do të zhvillohen në nivelin negociator.



