
Pas publikimit të djeshëm të planit për ridefinim të kufijve në Ballkan, të përpiluar nga qeveria sllovene, Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, ka reaguar sot në Twitter, duke thënë se raportimet për ndryshim kufijsh në Ballkan janë të pavërteta.
Madje ai thotë se as nuk është takuar qe një kohë të gjatë me Presidentin e Këshillit Evropian Charlles Michel, pasi u raportua se të njejtën plan, Jansha, e ka dërguar në KE.
“Për herë të fundit e takova vitin e kaluar. Do të ishte e vështirë që t’i dorëzoj fizikisht diçka në shkurt ose mars të këtij viti. Sllovenia po kërkon seriozisht zgjidhje për zhvillimin e rajonit dhe perspektivën e BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por nga publikime të tilla po provohet të ndalohet ky qëllim”, shkroi Jansha në Twitter.
Dokumenti, i cili u botua nga një media në Slloveni dhe media të tjera në Bosnje, ofron një opsion se si duhet të ricaktohen kufijtë në Ballkan.
“Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Bashkimi i një pjese të madhe të Republikës Serbe të Bosnjës me territorin e Serbisë. Zgjidhja e çështjes kombëtare të Kroacisë me dy opsione dhe krijimi i një shteti funksional boshnjak”, shkruan në dokument.
Ndërkohë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, kishte thënë dje se në adresë të BE-së, nuk kanë pranuar asnjë letër me plane për ndryshim kufijsh në Ballkan.
“Në këtë rast specifik nuk i takon Komisionit Evropian ose Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm që të shprehemi për çështjen e pretenduar pasi që Komisioni nuk ka marrë asgjë dhe nuk është në dijeni të përmbajtjes së pretenduar të një dokumenti të tillë”, tha Stano.
Politikanja sllovene dhe shefja e grupit të social-demokratëve në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, tha poashtu se “ekziston një perceptim i rrezikshëm i politikës për Ballkanin Perëndimor në lidhje me Slloveninë, e cila kërcënon seriozisht besueshmërinë dhe suksesin e Këshillit tonë të BE-së”.
“Pavarësisht nëse është një dokument i krijuar në Slloveni apo jo, dëmi që u krijua për vendin tonë është tashmë shumë i madh. Është e nevojshme që të jepet një pozicion i qartë i Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor sa më shpejtë që është e mundur, në veçanti për Bosnjën” ka shkruar Fajon në Twitter.
Letrën, sipas mediave sllovene, e kishte përpuluar Qeveria Sllovene, saktësisht kryeministri Janez Jansha, në nëntorin e vitit të kaluar.
Të njejtën, thuhet se ai ia kishte dërguar Presidentit të Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel.



