Ashtu si në takimet e mëparshme, edhe këtë të martë kryedemokrati Lulzim Basha është pritur nga një numër i madh qytetarësh, në njësinë nr.3 të kryeqytetit.
Gjatë diskutimeve në disa biznese të vogla, Basha dëgjoi shqetësimet e tyre, ndërsa tha se pas 25 prillit do të ketë amnisti për të gjitha padrejtësitë ndaj tyre.
I shoqëruar, nga Ivi Kaso, Basha e cilësoi 25 prillit si ditën e fitores së qytetarëve.
“Shqipëria mezi po e pret ndryshimin dhe familje si tuajat do të jenë të parat që do të përfitojnë. Më 25 do t’i japim fund kësaj talljeje dhe do iu japim dinjitetit, që meritoni, për sakrificat me të cilat na keni rritur. Do bëhet amnisti për gjithë këto padrejtësi për familjet dhe biznesin e vogël. Më 25 prill votoni për ndryshimin”, tha ndër të tjera Basha.



