
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, thotë se liria e medias në Shqipëri është përkeqësuar në dy vitet e fundit. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i shtetit i referohet Raportit të Qendrës për Pluralizëm dhe Liri Mediatike, sipas të cilit, pushteti politik në vend është ndikues dhe ka sjellë si pasojë media jo të pavarura apo mediume që mbështetin partinë në pushtet dhe kërcënojnë autonominë e vet.
“Raporti i Qendrës për Pluralizëm dhe Liri Mediatike, me fokus sistemin dhe lirinë e mediave në vendet anëtare dhe kandidate të Bashkimit Europian, vëren stanjacion ose përkeqësim të situatës në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit. Studimi thekson se pushteti politik në vend është tejet influencues, duke rezultuar në media jo të pavarura apo mediume që mbështetin partinë në pushtet dhe kërcënojnë autonominë e vet. Me shkallën nga 0 në 100, rreziku për televizionet paraqitet i mesëm, ndërsa për portalet në internet, rreziku sipas konkluzioneve, rritet në shkallën sipërore për shkak të ndikimit më të fortë politik, mungesës së transparencës për sa i përket reklamave dhe kandidatëve politikë gjatë fushatave elektorale”, shkruan Meta.
Në postimin e tij, Meta u referohet edhe raporteve të tjera të mëparshme për lirinë e medias.
“Indeksi Botëror i Lirisë së Medias, i bërë publik në raportin vjetor të “Reporterëve pa Kufij” ku theksohej se pasojat e rënda të fatkeqësive natyrore nuk mund të justifikojnë cenimin e lirisë së medias; Qëndrimi i Departamentit Amerikan i Shtetit, ku ndër të tjera tërhiqej vëmendja se “veprimet e qeverive kundër epidemisë së COVID-19, nuk duhet të përdorin sëmundjen si pretekst për shtypjen e personave ose ideve”, konkluzionet e “Freedom House” dhe shqetësimet e bëra publike nga organizatat më prestigjoze botërore e europiane të gazetarëve, dëshmojnë se Shqipëria po shënon seriozisht hapa pas, përsa i përket lirisë së medias dhe transparencës”, thotë Meta.
Meta ikurajon gazetarët kritikë të vijojnë pa u trembur misionin e tyre dhe fton organizatat prestigjoze botërore të medias të monitorojnë edhe me më shumë vëmendje situatën e kolegëve të tyre në Shqipëri.
Reagimi i tij vjen në të njëjtën kohë kur me vendim të GJKKO, policia vuri nën sekuestro pasuritë e Ylli Ndroqit, pronar i televizionit “Ora News”.



