
Partia Demokratike ka reaguar menjëherë pas prezantimit nga Ministria e Shëndetësisë të Strategjisë së masave ndaj koronavirusit për periudhën vjeshtë-dimër.
Ka qenë ish-deputeti Bardh Spahia, ai që në emër të PD-së, përmes një publikimi në rrjetin social Facebook e quajti këtë strategji thjesht propagandë.
“Me një organizim qesharak e të kompleksuar për mungesën e një strategjie apo plani masash të vërtetë, një aktivitet i montuar keq në zyrat e Rilindjes, ku vetëm ekspertë nuk u dëgjuan të flisnin, Ministria e Shëndetësisë pretendoi të paraqiste atë që e quajti “strategjia e testimit vjeshtë-dimër”, por që në fakt ishte ilustrimi i mediokritetit, paaftësisë dhe vullnetit morboz për të mashtruar qytetarët me fraza të përgjithshme propogande, pa as edhe një gjë konkrete”, shkruan Spahia.
Ish-deputeti demokrat, ngre edhe disa pyetje mbi sasinë ashtu edhe për prejardhjen e tamponëve, ndërsa cilëson si legjendë spitalet Covid 3 dhe 4.
“Asnjë shifër se sa është numri i shtetërve të mirëpajisur për vjeshtë-dimër? Kur do jenë të pajisur 2 spitalet–legjende e propagandës, Covid 3 e 4? A do jetë i specializuar e i trajnuar personeli i tyre pasi deri sot asgjë nuk është bërë në këtë drejtim. Sa tamponë keni gjendje, sa do të sigurohen për muajt e ardhshëm, sa është kapaciteti për leximin e këtyre testeve, pse nuk shtohen paisjet e sa do shkojë numri i testimeve, me që pas 6 muajsh u kuptua më në fund se duhen rritur? Sa do jetë numri i testeve serologjike e si do përzgjidhen kategoritë për testim? Akoma sot, 7 muaj prej fillimit të kësaj emergjence thoni “do të” testojmë shtresat me rrisk të lartë! Sa teste të tilla janë bërë deri sot dhe a kemi një ide të shtrirjes së Covid-19?”, pyeti Spahia.
Ai theksoi se për çfarë arsye znj.ministre vazhdon të fshehë që nga fillimi i pandemisë si sasinë ashtu edhe prejardhjen e tamponëve, duke shtuar se më shumë se 60% e të cilëve dalin fals negativ.
“Nëse e quani strategji atë rrëmujë fjalish të montuara keq në zyrat tuaja, ku e keni koston e saj? Sa do kushtojnë ato përgatitje e sa fonde do lëvrohen?”, pyeti më tej ai.
Sipas tij, e vërteta e hidhur është se Edi Rama pasi dështoi me fazën e mbylljes, të cilën e çoi dëm, pa marrë masa e investuar, po e lë situatën në rënie të lirë dhe shpresa e vetme është imuniteti dhe kujdesi i vetë qytetarëve, ndërsa thekson se e panjohura na pret në muajt e ardhshëm.
“As numri i viktimave e i të infektuarve (jo real për shkak të numrit të ulët të testimeve), as e panjohura që na pret muajt e ardhshëm, sjellja Covid 19 dhe e virusit të gripit stinor, nuk ia prishin komoditetin e pushimeve kryeministrit me të papërgjegjshëm që ka patur ndonjëherë ky vend”, tha ai.
Spahia shprehet se nukka vullnet të angazhohet për të mbrojtur qytetarët e vet, pasi paaftesia dhe makutëria mbeten tiparet e pandryshuar të Edi Ramës, si kosto e rëndë për shqiptarët prej ditës së parë në karriken e kryeministrit.
Kujtojmë se Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, njoftoi sot në një dalje për mediat dyfishimin e numrit të testimeve duke nisur nga muaji shtator.
“Duke filluar nga muaji Shtator, kapacitetet e testimit do të rriten me dy herë, duke shtuar ekipet e terrenit, infrastrukturën e nevojshme dhe kapacitetet laboratorike”, tha MInistrja.
Ajo, më tej, theksoi se nga fillimi i epidemisë është trefishuar numri i testimeve, Manastirliu tha se po zgjerohen akoma më shumë kapacitetet, duke filluar nga muaji Shtator, ku do të shtohen me 30% edhe stafet e epidemiologëve dhe ndihmës epidemiologëve në terren.
“Po bëjmë çdo përpjekje që kemi në dorë, për tju përgjigjur situatës së pritshme në vjeshtë-dimër. Struktura jonë kombëtare e testimit do të sigurojë që të përballohen kërkesat për testim dhe diagnostikim për qytetarët e dyshuar të prekur nga COVID19. Në kuadër të zgjerimit të mëtejshëm të mbulimit me teste, po punohet që nga Shtatori të realizohet dyfishimi i testimeve”, tha Manastirliu duke shtuar se në këtë kontekst do të kërkohet bashkëpunimi edhe i sektorit privat.
“Pjesë e strategjisë së vjeshtë-dimrit është edhe shumëfishimi i vaksinave falas kundër gripit, për të mbuluar të gjithë grupet e riskuara, të përcaktuara nga ekspertët e ISHP, që nga personeli shëndetësor, tek të moshuarit, edukatorët, arsimtarët, fëmijët 2-5 vjeç, etj, me vaksinën e gripit falas”, tha Manastirliu.



