Forcat e policisë kanë “blinduar” godinën e Kryeministrisë, aty ku në orën 18.00 të pasdites së sotme do të kulmojë protesta e opozitës.
Krahas efektivëve të policisë siç raportoi gazetari i MCN TV, Mariglen Kume, kanë mbërritur edhe makinat e ujit të cilat shpërndajnë protestuesit.
Ai bëri të ditur se fjalimi do të mbahet nga përfaqësues të Partisë Demokratike, me në krye kryedemokratin Sali Berisha, por edhe pjesëtarë të Forumit për Dialog Politik.
Policia ka vendosur kordon metalik përreth godinës së Kryeministrisë, dritaret janë të mbyllura dhe fasada është blinduar, njëlloj si dera kryesore. Zoti Berisha së bashku me një grup protestuesish dhe deputetë të Partisë Demokratike do të niset nga selia e PD drejt bulevardit.
Nga ana tjetër strukturat e PD kanë dhënë porositë që çdo grupseksion do të ketë pozicionin e tij mbi pozicionin ku do të qëndrojnë në bulevard. Priten sërish molotov dhe mjete piroteknike që do të hidhen drejt Kryeministrisë. Po ashtu protestuesit do të shkojnë edhe para parlamentit për të protestuar.



