
Komisioni i Rithemelimit i Partisë Demokratike ka depozituar një kallëzim penal ndaj ish-deputetit socialist, Spartak Braho i cili ka deklaruar se në protestën e 8 janarit të organizuar nga ish-kryetari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha do të vritej një deputet në oborrin e selisë blu.
Akuza që është ngritur nga ana e grupit të Berishës është ajo e shpifjes.
Ka qenë deputeti Flamur Noka, i cili depozitoi pranë Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesë-padinë për Brahon.
Spartak Braho një ditë para protestes se datës 8 janar deklaroi në media se kishte informacione se gjatë protestes mund të vritej një deputet i grupit Basha, duke dhënë edhe inicialet E.A.
Braho i ishte referuar deputetit Enkelejd Alibeaj të cilit iu përforcua mbrojtje personale.



