Pedagogia Jonila Godole duke folur në emisionin “Arnautistan” tha se humbja e PD në zgjedhje ishte e rëndë, por e paralajmëruar. Godole tha se duhet një analizë e thellë mbi të djathtën, ku të përfshihen edhe ekspertë të jashtëm për një analizë sa më objektive. Sipas Godoles Basha e humbi mundësinë që të bëhej lideri i vërtetë i PD-së pas pezullimit të Berishës.
Humbja e PD ishte e rëndë, por e paralajmëruar. Në mënyrë PD zyrtare sa e paorganizuar u fut në zgjedhje. Unë e prisja. Është e rëndë që të ikin bastionet dhe t’i lësh të ikin. Unë një vit me radhë kërkova që mblidheshim, të kishte aksion opozitar, të kishte shkëmbim mendimesh. Partia u fut në garë krejt e paorganizuar, gjithçka u vendos dy tre ditët e fundit. U katandis nga 61 kandidat, në 14 kandidatë.
Po kalojnë javët dhe ende strukturat e PD s’janë mbledhur që të nisë analiza. Të bëhet një analizë e thellë shkencore, jo të mblidhesh në një sallë dhe secili, flet, kritikon, bën. Edhe kjo është një gjë e mirë, por duhet të shkojmë te analiza e thellë dhe përgjegjësitë. Unë kam propozuar që ngrihet një grup pune, ku të përfshihen edhe ekspertë të jashtëm për të patur një analizë objektive për gjendjen ku ndodhet e djathta, dhe si ajo mund të marrë veten për 2025-ën dhe më tej.
Kriza në PD nuk nisi në shtator të 2021-shit. Ka qenë një moment që Basha kishte shansin të bëhej lideri i vërtetë i PD. Kam frikë se këtë gjë e ka humbur. Aksioni opozitar iu la Foltores dhe Berishës dhe PD rreshti së ekzistuari në aksionin e saj politik. Iu la fushë e lirë Berishës dhe Foltores që të krijonte strukturë paralele. Kjo nxori në pah krizën që prej dekadash ekzistonte në PD. Humbje pas humbje s’është bërë kurrë një analizë serioze mbi problemet e kësaj partie.
PD vetëm dëme më ka sjellë këto dy vite. Dëme në imazh, këtu përbaltesh, njollosesh. Unë nuk eci pas liderit, jam për një të djathtë të shëndetshme. Unë nuk kam gjë për të humbur. Jam afruar në atë parti sepse vendi ka nevojë për një të djathtë. Jam për një parti demokratike mbi vlera demokratike dhe për një garë. PD ose duhet të hapet tani, dhe të bëjë një analizë objektive, ose…ose e ka shumë të vështirë të ringrihet".



