Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Agron Shehaj në një takim me demokratët e njësisë nr.7, deklaroi sot se demokratët duhet të votojnë ndryshimin më 13 qershor.
“Me mua Partia Demokratike do jetë partia që do mobilizojë shqiptarët kundër korrupsionit dhe kundër oligarkëve që jetojnë me pasuritë dhe paratë publike. Prandaj demokratët duhet të votojnë ndryshimin më 13 qershor, që PD të kthehet tek fitorja dhe tek reformat për të ndryshuar Shqipërinë. Demokratët duan që PD të jetë e fortë dhe të marrë pushtetin për të ndryshuar sistemin e korruptuar që po shkatërron Shqipërinë. PD nuk do të vijë dot në pushtet nëse nuk ka një plan për shkatërrimin e sistemit të korruptuar, ndëshkimin e politikanëve të korruptuar dhe të oligarkëve që vjedhin Shqipërinë. Udhëheqja e sotme e PD-së bën gjoja sikur do të luftojë korrupsionin dhe oligarkët”, u shpreh Shehaj.
Përmes një video, teksa i përgjigjej pyetjeve të qytetarëve, ku një ndër to ishte se si mund ta kthej ai PD-në në parti të shpresë së shqiptarëve, Shehaj, tha se shpreson te ndryshimi.
“Di se si mund të fitojmë zgjedhjet e ardhshme dhe çfarë ndryshimesh duhet të bëjmë dhe si mund të ngremë entuziazmin”, tha Shehaj.
Pyetjes se a mendoni se Rama ikën pa revolucion, Shehaj shprehet se zgjedhjet fitohen me votë dhe di si mund të fitohet.
Në lidhje me marrëdhëniet ndërkombëtare Shehaj shprehet se, “unë di që SHBA i kanë bërë vetëm mirë Shqipërisë. Kur u krijua Shqipëria, tek rrëzimi i regjimit komunist, anëtarësimi në NATO, pavarësimi i Kosovës, janë të gjitha arritje që janë bërë falë SHBA-së. E ardhmja e Shqipërisë është vetë në krah të SHBA-së”.



