
Byroja e Kuvendit ka rrëzuar kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, për përjashtimin e kryeministrit Edi Rama nga parlamenti.
Kërkesa e LSI u rrëzua me 6 vota kundër dhe 3 pro dhe sipas maxhorancës, nuk pati fjalë fyese nga ana e kryeministrit në seancën e javës së kaluar.
Nëntë deputetë të LSI-së i kërkuan kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi përjashtimin e kryeministrit Rama nga Kuvendi, për fjalorin e përdorur në seancën parlamentare të 29 marsit.
Në fjalën e tij gjatë kësaj seance kryeministri i është drejtuar opozitës “Nuk mundni dot ju të bllokoni asgjë dhe të pengoni asgjë, dhe për më tepër pastaj, jo po…, shiko këtu se do të ngrihen këta, do ngrihen ata. Kjo e ngritjes është, ‘thirri-thirri të të ngrihet, ai i shkreti kokë ulur s’të përgjigjet dot’.
LSI kërkonte përjashtimin në bazë të rregullores së Kuvendit me 10 ditë nga seanca plenare por për PS nuk ka pasur fjalë fyese. Ish-aleatët e qeverisë Rama theksuan se fjalori i kreut të qeverisë është njësoj me atë të një rrugaçi.
Deputeti demokrat Edi Paloka e ka quajtur rastin më skandaloz mospërjashtimin e kryeministrit Edi Rama nga Byroja, duke rrëzuar kështu kërkesën e LSI-së.
Edhe deputeti i LSI-së Viktor Tushaj ka reaguar pas rrëzimit të kërkesës për përjashtimin e Edi Ramës nga seancat plenare, duke theksuar se sjellja e kryeministrit ishte rrugaçëri.
Në një prononcim për mediat Tushaj tha se deputetët e PS nuk kishin asnjë argument juridik për të kundërshtuar. Por deputetja e socialiste, Vasilika Hysi tha në përfundim të mbledhjes së Byrosë se u konstatua se kryeministri nuk kishte përdorur fjalë fyese.



