
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka mirëpritur sot vendimin për zvogëlimin e pranisë policore përreth objekteve komunale në veri të Kosovës, që ka ardhur si rezultat i vlerësimit të përbashkët ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it. Në bazë të vlerësimit të institucioneve të sigurisë, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i nga e premtja (04 gusht) fillon zvogëlimi i numrit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25 për qind, në dhe përreth objekteve komunale në veri. Lajçak, përmes një postimi në Twitter, zvogëlimin e pranisë së policisë në veri e ka cilësuar hap të rëndësishëm drejt de-eskalimit të plotë. ”E mirëpres vlerësimin e parë të përbashkët të sotëm të sigurisë ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe NATO-KFOR siç është rënë dakord në Bratislavë”, ka shkruar Lajçak. Ai ka thënë se “ky është një hap i rëndësishëm drejt de-eskalimit të plotë të tensioneve në veri të Kosovës”. Ndryshe, nga nesër fillon zvogëlimi i numrit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25 për qind, në dhe përreth, objekteve komunale në veri. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ky vendim është marr pas një takimi punues që ka zhvilluar me EULEX-in dhe KFOR-in lidhur me vlerësimin e situatës së sigurisë në pjesën veriore të vendit.



