Gjatë vizitës në Bruksel, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u prit në Bruksel nga komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn. Gjatë takimit, Meta u ndal në hapat e Shqipërisë drejt çeljes së negociatave me BE-në dhe nënvizoi se “Shqipëria shpreson që edhe Këshilli të ndajë të njëjtin opinion me Komisionin, gjatë mbledhjes së tij të ardhshme gjatë këtij muaji".
Meta e falënderoi gjithashtu Komisionerin Hahn për rolin e tij personal dhe mbështetjen kyçe ndaj arritjes së konsensusit në miratimin e paketës kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë, duke shtuar njëkohësisht se konsensusi ishte kyç për legjitimitetin e reformës.
Ndërsa komisioneri Evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn, u shpreh se Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në përmbushjen e prioriteteve. Hahn theksoi se suksesi i reformës së drejtësisë dhe ligjit të dekriminalizimit në Shqipëri do të prodhojë lajme të mira për gjithë rajonin e Ballkanit, i cili ka nevojë për momente pozitive.



