Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ndan dëshminë e një naftëtareje, lidhur me kapacitetin e uzinës së naftës në Ballsh, teksa çmimi i karburanteve, ka njohur rritje të shënuara më parë.
Kryemadhi thotë se nafta jonë bruto është vërtetë e rëndë, me përqindje të lartë plumbi, por ajo pastrohet në Rafinerinë e Ravenas në Itali dhe kjo rafineri kushton 100 milionë euro.
Më mirë të ndërtojmë një rafineri që kushton 100 milionë euro, pasi Shqipëria prodhon 23 mijë fuçi në ditë, që do të mbulonte mbi 80% të nevojave të vendit, apo të ndërtojmë inceneratorë që kushtojnë dhe çojnë dëm 430 milionë euro? Më mirë një rafineri nafte, apo të financojmë koncesionin korruptiv të check up, që nuk funksionon? Një rafineri moderne do të nxirrte naftë për tregun vendas me një kosto 1 USD/litër, e do të punësonte mbi 1000 naftëtarë që do të mirëpaguheshin. Kjo do të ulte ndjeshëm kostot e rënduara për shqiptarët e varfër që sot po e blejnë naftën me 2.2 euro, më shtrenjtë edhe nga vendet që s’kanë fare naftë!
Në vijim shton se kjo është politika me interes kombëtar që duhet të bëjmë për të mbrojtur ekonominë tonë nga krizat e njëpasnjëshme, si ajo e Covid-19 apo kriza e luftës në Ukrainë. Sipas saj, vetëm kështu do të ishim të pavarur nga bursat apo tregjet botërore.
Kryetarja e LSI, shton se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë e pavarësisë energjetike nga bota, pasi Zoti e ka bekuar me pasuri të tilla si nafta, burimet hidrike, dielli.
I mungon vetëm një qeveri e politike me interes kombëtar. Ju ftoj të ndiqni fjalët e vetë naftëtarëve gjatë grevës së urisë, në datë 17 tetor 2020.



