Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në emisionin Të Paekspozuarit në ‘MCN TV’, ka komentuar ndryshimet e fundit ligjore që kufizojnë mundësinë e gjykatave për të pezulluar ministrat dhe funksionarët e lartë.
Nazarko e cilësoi reagimin ndaj debatit si të padrejtë, duke theksuar se norma juridike e një vendimi të tillë ka karakter të përgjithshëm dhe jo të posaçëm.
Mendoj se ky reagim është i padrejtë sepse norma juridike e një vendimi të tillë nuk ka karakter të përveçëm, por të përgjithshëm. Ndalimi për këto figura është i veçantë.
Sipas analistit, në krahasim me praktikat evropiane, kufizimi i pezullimit zakonisht lidhet me të zgjedhurit dhe nuk ofron një mbrojtje kaq të zgjeruar si ajo që po aplikohet aktualisht në Shqipëri. Ai nënvizoi se Gjykata Kushtetuese nuk e ka konsideruar këtë një rast abuzimi, por shtoi se mënyra dhe koha e ndërhyrjes ligjore ngre pikëpyetje.
Në pikëpamje të përgjithshme kjo është një normë me emra të përveçëm. Nëse do të kishim një mobilizim të shumicës për ndryshime në Kodin Penal me qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga arbitrariteti, do të ishte e kuptueshme. Por ngutia e treguar për mbrojtjen e këtyre figurave e tradhton këtë qëllim. Duhet të ishte marrë një vendim më parë për këtë, jo tani.
Sipas tij, thelbi i debatit qëndron te balanca mes parimit të barazisë para ligjit dhe mbrojtjes institucionale të funksionarëve të lartë, çështje që pritet të vijojë të prodhojë diskutime në arenën politike dhe juridike.



