Me ftesë të Presidentit të Italisë, Sergio Mattarella, kreu i shtetit shqiptar Bajram Begaj, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Itali, në datat 26-27 maj 2023.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se:
Në datën 26 maj 2023, Presidenti Begaj do të pritet me nderimet e rastit nga Presidenti i Italisë, z. Sergio Mattarella dhe do të zhvillojë bisedime të veçanta e të zgjeruara në Pallatin Quirinalle. Në qendër të bisedimeve do të jenë rikonfirmimi i marrëdhënieve të shkëlqyera e shumëdimensionale dypalëshe, procesi i integrimit evropian të Shqipërisë dhe mbështetja e vyer e Italisë, kontributi i Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe çështje të tjera me interes gjeopolitik. Gjithashtu, gjatë qendrimit në Romë, Presidenti Begaj, do të pritet në një takim të veçantë edhe nga Presidenti i Dhomës së Deputetëve, z. Lorenzo Fontana”.
Po ashtu më 27 maj 2023, Presidenti Begaj do të vizitojë rajonin e Abruzzo-s, ku do të pritet nga autoritetet vendore të këtij rajoni, në l’Aquila dhe Chieti, si dhe do të takohet në Villa Badessa me komunitetin historik arbëresh dhe përfaqësues të komunitetit të ri shqiptar të këtij rajoni.



