Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh të premten se, “Partia Demokratike është shpresa për ndryshimin në të mirë të progresit të vendit dhe rimëkëmbjes ekonomike të popullit”.
Duke përshëndetur punimet e Akademisë Politike të Partisë Demokratike, që u zhvillua sot në Durrës, Basha tha se beteja është e vështirë përballë aferave korruptive të qeverisë aktuale, por ne vijmë me një shpresë, se aleanca që kemi dhe do të ndërtojmë në shërbim të popullit, do të jetë e pathyeshme e triumfuse.
Duke theksuar se e nesërmja do të jetë në duart e rinisë, Basha tha se e sotmja është një ditë e veçantë. Ai vlerësoi mënyrën e zgjedhjes së kreut të këtij forumi sipas parimit një anëtar, një votë.
Kreu i PD-së tha se Shqipëria është në udhëkryq për shkak të udhëheqjes nga një oligarki që vetëm vjedhin buxhetin e shtetit.
Basha tha se për këtë do të nisë dialogu me qytetarët.
“Dialogu do të nisë shumë shpejt. Do të gërshetohet rinia me kontributet historike të kësaj partie, me lektorët që vijnë, për të nisur një bashkëbisedim thelbësor për sfidat e Shqipërisë sot, sepse Shqipëria është në një udhëkryq të rrezikshëm sot, për demokracinë, shtetin ligjor, destabilitetin, dhe për të ardhmen e saj evropiane. Një udhëkryq të rrezikshëm të cilën nuk do ta dëshironim kurrë, ndonëse e paralajmëruam dhe e denoncuam çdo ditë të opozitës tonë trevjeçare”, tha Basha.



