
Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, foli për zgjedhjet e pjesshme lokale të dekretuara nga Presidenti Ilir Meta për t’u zhvilluar më 6 mars të këtij viti. Në komunikimin me gazetarët, ajo tha se në këto zgjedhje Partia Demokratike do të përfaqësohet me kandidatët më të mirë dhe me integritet.
Zgjedhjet lokale të 6 marsit tregojnë faktin, që ne e kemi thënë me vite, e kemi përsëritur sa herë, të degradimit të pushtetit të Edi Ramës, të lidhjes së pushtetit me krimin. PD do të prezantohet me kandidatët më të mirë të mundshëm në këto zgjedhje, me kandidatët me integritet më të lartë. Ne kemi aleancë me qytetarët. E rëndësishme është që PD do të përfaqësojë vullnetin e atyre 670 mijë qytetarëve, që e votuan.
Më tej, ajo foli he për aferën e inceneratorëve, për të cilën tha se partia e saj ka kallëzuar, përveç Lefter Kokës, edhe tre ministra të tjerë të qeverisë Rama, si dhe tre kryebashkiakë.
Është e pakonceptueshme se si një komision që ngrihet për të hetuar koncesionin thotë se nuk të kthej përgjigje. Me gjithë mbrojtjen politike që i dhanë aferës së inceneratorëve shumica, unë do të ndjek po të njëjtën rrugë, raportin do ta çoj në SPAK. Për të njëjtën akuzë që Lefter Koka është sot në burg, duhet të ishin edhe tre ministra të tjerë, Ahmetaj, Klosi e Gjiknuri, si dhe tre kryetarë bashkie.



