Nga fushata përmbyllëse në Durrës, lideri i opozitës Lulzim Basha ka folur për një kolalicion të vetëm që mund t’i kthejë dinjitetin Shqipërisë, dhe sipas tij ai është bashkimi i shqiptarëve nën Republikën e Re që do të krijojë PD.
Basha nuk ka lënë jashtë fokusit të tij kryeministrin Rama, duke hedhur akuza ndaj tij, se sillet sikur të ketë 4 vite që është në opozitë, ndërsa frigoriferët e shqiptarëve janë bosh për shkak të vështirësive ekonomike që ka prodhuar qeveria e të majtëve.
"Pas 4 vitesh, ai flet tani sikur nuk ishte ai kryeministri, sikur s’i ka ai fajet. Frigoriferët e shqiptarëve janë bosh, xhepat e shqiptarëve janë bosh. Koha për Ramën ka ikur, ndëshkojeni me votë. Duhet t’i kthejmë dinjitetin vendit, të favorizojmë ekonominë, bujqësinë. Vetëm një koalicion mund ta bëjë këtë, Partia Demokratike, Republika e Re”-tha Lulzim Basha.
Lulzim Basha ka shigjetuar gjithashtu edhe kryebashkiakun e qytetit bregdetar, Vangjush Dakon. Sipas liderit të opozitës i vetmi investim i kryebashkiakut ka qenë betoni. Kryedemokrati është shprehur se me Republikën e Re do të mbahet premtimi për të shtypur dhe hequr nga Durrësi të gjithë bandat e oligarkëve.
"Ne mund të mbledhim të ardhurat që kurrë më nuk do të destinohen për betonin e Gjushit. Më 25 qershor Dutrësi do të çlirohet nga bandat dhe do t’i shtypim me forcën e ligjit. Asnjë hije rëndë nuk do të trembë nënat dhe baballarët tanë. Ndaj ka ardhur koha që çdo durrsak dhe çdo durrsake, duhet të votoni ditën e diel për ekonominë tuaj. Durrësi i dha tonin kësaj beteje. A jeni gati? A jemi bashkë?”-tha Basha.



